Selena Gomez nuk është zhdukur, thjesht ka vendosur të qëndrojë larg vëmendjes së medias, të përqëndrohet te gjërat që do më shumë dhe të bëjë jetën që ka dashur gjithmonë. Ajo është shpërngulur në Orange County dhe është shprehur se ndihet e çliruar, pasi Los Angeles ishte kthyer në një vend që po i merrte frymën. Këngëtarja ka nxjerrë në shitje një pjesë të madhe të pronave të saj dhe ka nisur një jetë të re larg zhurmës dhe jetës së vrullshme të Los Angeles-it.
“I jam kthyer thjeshtësisë. Kështu kam qenë gjithmonë. Jam e lumtur që jam këtu ku jam tani, pasi kam gjetur veten. Si kam ndryshuar nga mosha 20-vjeçare deri tani që jam 26? Jam totalisht tjetër njeri”, -është shprehur Selena në një intervistë të gjatë për Elle.
Ndër të tjera, ajo ka folur për periudhën e ndarjes nga The Weeknd, rikthimin me Justin dhe më pas ndarjen edhe prej tij. Selena ka treguar se ishte një periudhë shumë e vështirë dhe ia ka dalë ta kalojë vetëm falë mbështetjes së nënës së saj dhe grave të tjera të familjes që iu gjendën pranë dhe e inkurajuan.
Kjo është hera e parë që Selena flet publikisht për këtë periudhë delikate të jetës së saj që erdhi direkt pas momentit të vështirë të transplantit të veshkës.