Avril Lavigne u bë e famshme që në adoleshencë dhe karriera e saj ka qenë e mbushur me suksese, vështirësi dhe spekulime të shumta mbi identitetin e saj. Ajo është rikthyer në muzikë pas një shkëputje të gjatë për shkak të sëmundjes së lyme me të cilën ajo ka qenë duke ‘luftuar’ për shumë vite. Këngëtarja ka shkruar një letër për fansat, ku tregon për vështirësitë që ka kaluar dhe si muzika e ka ndihmuar për të ecur para.
“E kam pranuar vdekjen dhe e kam ndjerë trupin tim duke u shuar. Jam ndjerë sikur po mbytem, por muzika më ka bërë të gjej forcën dhe publikimi i albumit është një mënyrë për të treguar atë që kam përjetuar”, -ka shkruar këngëtarja. Por fansat kanë rikthyer në vëmendje teorinë e vjetër konspirative se Avril ka vdekur dhe ajo që shfaqet sot është Melissa Vandella.
Sipas kësaj teorie (të vitit 2005), Avril ishte lodhur nga fama dhe labeli i saj punësoi me kohë të pjesshme një vajzë që i ngjasonte shumë, e quajtur Melissa Vandella, e cila u kthye në miken më të mirë të këngëtares. Po ashtu, sipas kësaj teorie, Avril vdiq në vitin 2003, pasi vrau veten dhe labeli e zëvendësoi me Melissa-n. Mbështetësit e kësaj teorie kanë analizuar formën e hundës së saj, zërin, autografin e saj dhe kanë vënë re se ka ndryshime të mëdha nga ato të Avril para vitit 2003. Po ashtu, thuhet se Avril vishte pantallona dhe atlete, ndërsa Melissa ka qejf fustanet dhe takat. Albumi i dytë i Avril mendohet se ka pasur mesazhe të fshehta nga kopja e Avril-it, e cila dikur është fotografuar me emrin “Melissa” të shkruar në dorën e saj.
Prandaj, fansat vazhdojnë të besojnë në këtë teori dhe e kanë risjellë në qendër të vëmendjes edhe tani që Avril do të publikojë këngën e re “Head above water” dhe është bërë aktive në rrjetet sociale, ku i komentojnë vazhdimisht se ajo është Melissa dhe duhet ta pranojë publikisht. Po ju si mendoni a është zëvendësuar Avril me Melissa-n?