Aktori i famshëm amerikan Steven Segal është larguar në mes të intervistës për televizionin e BBC-së, sapo gazetarja e pyeti lidhur me akuzat për përdhunim dhe raste të tjera të sjelljeve të pahijshme seksuale që rëndojnë për të.
Teksa 66-vjeçari po bisedonte me Kirsty Wark në programin “Newsnight” të enjten, gazetarja përmendi lëvizjen #MeToo dhe e pyeti se si ka ndikuar tek aktori.
“Ju keni qenë i akuzuar për ngacmime seksuale. Keni pasur një akuzë për përdhunim dhe unë pyes veten sesi ia del me të gjitha këto”, tha Wark.
Pa mbaruar ende pyetjen, aktori i filmit “Out for Justice” hoqi kufjen dhe u largua nga studio, pasi Wark u kujtoi shikuesve se Seagal i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij.
Kujtojmë se Steven Seagal është në mesin e dhjetëra meshkujve të fuqishëm të “Hollywood”-it që janë akuzuar për sulme seksuale.
66-vjeçari është akuzuar gjithashtu për sjellje të pahijshme seksuale nga aktoret Jenny McCarthy, Julianna Margulies dhe Portia de Rossi, në incidente të veçanta.
McCarthy duke folur në show-n e saj “SiriusXM” nëntorin e kaluar, u shpreh se Sega; është përpjekur që ta merrte atë pranë tij e më pas ta zhvishte. Sipas saj, kjo ka ndodhur gjatë një audicioni për filmin “Under Siege 2” në vitin 1995.
Ndërsa Julianna Margulies gjatë një paraqitje në show-n e McCarthy tha se kur ishte 23 vjeçe, një agjent që drejtonte femrat i tha asaj të shkonte në një hotel ku ishte edhe aktori. Sipas saj, agjenti i ka thënë se Segal e kërkonte për një takim.
Gjithashtu Portia de Rossi, nëntorin e kaluar tregoi një histori të ngjashme që ajo e quajti “provën e saj të fundit” në zyrën e Segal për një rol në një nga filmat e tij.
“Më tha sesa e rëndësishme është që të kemi kimi jashtë ekranit, teksa më ulte pranë tij dhe hoqi pantallonat prej lëkure. Vrapova dhe thirra agjentin tim”, shkruante ajo në “Twitter”.