Ajo është një nga këngëtaret që bëri krenarë të gjithë shqiptarët, pasi arriti që të dilte e pesta me këngës “Suus” në “Eurovizion”-in e vitit 2012. Bëhet fjalë për Rona Nishliun, e cila në shtatorin e këtij viti i dha fund beqarisë, duke kurorëzuar në martesë dashurinë e saj.
Ndërkohë këtë fundjavë, Nishliu tregoi se u bë këngëtarja e parë shqiptare e ftuar në Kongresin “OGAE”, në Spanjë.
“Fansat spanjollë të “Eurovision”-it janë të pabesueshëm! E privilegjuar që jam këngëtarja e parë shqiptare e pranishme në Kongresin OGAE. Kongresi i 13-të në Madrid ishte një natë për t’u kujtuar. Së shpejti fotografi dhe detaje të tjera nga ngjarja e veçantë”, shkroi Rona në postimin e saj të fundit në profilin e saj në “Instagram”.
Gjithashtu Rona zbuloi edhe për projektin e saj më të fundit. Ajo dëshiron që të bëjë pjesë të festivalit evropian të këngës vendin e saj të lindjes, Kosovën.
“Rona Nishliu po punon tani në televizionin e Kosovës dhe po tenton ta bëjë Kosovën pjesë të ‘Eurovision’-it… Faleminderit fansave të Spanjë që mbështesin pranimin e Kosovës në ‘Eurovision’”, kishte shkruar një faqe e fansve të festivalit, të cilën Rona e përktheu në gjuhën angleze.