Para pak ditësh, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi mediat që brenda 24 orësh të heqin nga transmetimi reklamat e kazinove dhe ato të basteve sportive.
Ky vendim, u shpreh Rama, është masa e parë për të mbërritur deri në datën 31 dhjetor kur do të pushojnë së funksionuari kazinotë elektronike si dhe pikat e basteve.
Duket se ky vendim i Ramës prek një prej emisioneve të transmetuara nga “Supersport”. Bëhet fjalë për emisionin “Bar Skedina”. Ky emision bazohet te parashikimet e ndeshjeve, ku të ftuarit japin parashikimet e tyre për rezultatet e ndeshjeve, duke iu referuar kompanisë së lotos, e cila është pjesë e emisionit.
Mbetet për t’u parë nëse ky paralajmërim i Ramës do të çojë në mbylljen e emisionit, i cili këtë sezon drejtohet nga Gea Braha, ish-velina e “Fiks Fare”. Kujtojmë që në fillim programi është drejtuar nga Ilda Bejleri, më pas nga Bora Zemani dhe këtë sezon nga Gea.
Vetë Braha ende nuk ka bërë ndonjë prononcim, së ç’do të ndodhë me punën e saj në televizion. Katër vite më parë, Gea Braha preku botën e televizionit si velina brune e programit investigativ “Fiks Fare”. Prezantuesja, që ka studiur Financë, pas largimit si velinë, vazhdoi punën në po të njëjtën media si gazetare sporti, ku dhe krijoi miqësitë e saj me futbollistët.