Çudia më e madhe ka qenë Gaga dhe këtë e kanë thënë të gjithë tashmë. Jo vetëm publiku i thjeshtë, por edhe kritikët e njohur të kinemasë. Jo vetëm këngëtare, por edhe një aktore shumë e mirë Lady Gaga, përmes interpretimit të saj në “A star is born”, ka arritur të bëjë për vete me mijëra fansa.
Megjithatë, 32 -vjeçarja duket se nuk është aq e zonja në fjalime sa në këngë dhe në film. Videot me këngët e saj dhe të Bradley Cooper në filmin e ri po bëjnë xhiron e botës, por po njëlloj janë përhapur edhe deklaratat e artistes në çdo konferencë shtypi apo deklaratë publike.
Dhe nuk është pak. Këngëtarja ka thënë gjithmonë të njëjtën fjali për të falënderuar aktorin dhe producentin e njohur.
“Mund të jenë 100 veta në një dhomë dhe 99 prej tyre nuk besojnë tek ju, vetëm njëri prej tyre e bën dhe kjo mjafton për të ndryshuar jetën tuaj”. Kjo është fjalia që Lady Gaga e ka thënë pa asnjë ndryshim në të paktën 11 dalje televizive. Aq shumë e ka përmendur, saqë edhe aktori 43 –vjeçar duket i bezdisur prej saj. Ndoshta këngëtarja beson se edhe fjalimet janë si këngët e saj të bukura, që sa më shpesh t’i dëgjosh, aq më shumë dhe njerëzit i pëlqejnë. Por nuk është gjithmonë kështu apo jo?