Vazhdon ende të ketë interesin maksimal të medias, ngjarja e bujshme në ish-Bllok, ku një person mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur.
Më shumë se bilanci tragjik, përfshirja e emrit të këngëtares së famshme shqiptare Elvana Gjata në të, ka bërë që ngjarja të ketë ende vëmendjen maksimale të medias, pas çdo zhvillimi të ri.
Kështu, ditën e djeshme u raportua se vetëm përpara disa ditësh Elvana Gjata ka mbërritur në aerportin e Rinasit dhe ka shkuar të jap dëshminë e saj për ngjarjen në Prokurorinë e Tiranës, shkruan Revista Class.
Ndërkohë, burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se këngëtarja ka marrë kërcënime nga persona të panjohur disa ditë pas ngjarjes ku u përfshinë i dashuri i saj, Ervin Mata dhe djali i dajës së saj Mevjol Bilo, ky i fundit i dyshuar si autor i vrasjes. Ky fakt konfirmohet nga burime të policisë së Tiranës, e për pasojë janë marrë masa për mbrojtjen e këngëtares dhe familjes së saj.
Vetë Elvana ka konfirmuar në polici se para se të ndodhte ngjarja më 4 tetor nuk ka patur probleme dhe as kërcënime. Aty ajo ka deklaruar se nuk i njeh personat e përfshirë në konflikt dhe se nuk ka qenë e pranishme në lokal as para dhe as në momentin kur ndodhi vrasja.
Elvana ka sqaruar se kishte shkuar të takonte të dashurin me të cilin bashkëjetonte prej një viti, për t’i dhënë çelësin e shtëpisë, me argumentin se pas disa orësh do largohej nga Shqipëria.