Franca ka shkatërruar Argjentinën me rezultatin 4-3 duke kaluar në çerekfinale. Ndeshja e parë e fazës së nokautit, ashtu siç parashikohej, dhuroi pafund spektakël dhe në fund ishin europianët ata që dolën triumfues nga stadiumi i Kazanit.
Ylli që vendosi gjithçka për francezët ishte Kylian Mbappe i Paris Saint-Germain. Talenti bëri gjithçka për vendin e tij, duke i marrë stafetën Leo Messi-t pasi duket se brenda disa viteve do të jetë një nga lojtarët më të mirë që do të konkurrojë për Topin e Artë.
Ishte pikërisht talenti i PSG ai që fitoi penalltinë pas një sprinti nga 70 metra, me Griezmann që e shndërron në gol. Por një goditje nga hiçi e Di Maria-s nga rreth 25 metra i ka dhënë barazimin argjentinasve.
Pas pushimit latinët kalojnë në avantazh për të parën herë falë një goli me shumë fat të Macado-s. Por Franca nuk dorëzohet dhe Pavard barazon rezultatin me një tjetër perlë nga distanca, mbase goli më i bukur i Botërorit. Pastaj fillon Mbappe “show”. Talenti ka shënuar dy golat e radhës, njëri më i bukur se tjetri, duke i dhënë fitoren vendit të tij. Fundi ishte dramatik, Aguero ngushton diferencën por nuk kishte më kohë për të barazuar. Messi jashtë, sot mund të themi se zyrtarisht ka lindur një yll i ri.