Asnjë nuk mund ta mohojë se Kylian Mbappe është një kampion në fushë. Dy golat e tij ndaj Argjentinës vendosën kualifikimin e Francës në çerekfinalet e Botërorit, duke lënë jashtë Argjentinën e Lionel Messi.
Por Mbappe po tregon se është kampion edhe jashtë fushës. Sulmuesi francez do të dhurojë për bamirësi të gjithë shpërblimet që do të përfitojë nga pjesëmarrja e tij në Kupën e Botës. 20 mijë Euro për çdo ndeshje të fituar dhe kësaj shumë mund t’i shtohen edhe 300 mijë Euro, nëse Franca fiton trofeun.
Paratë do të shkojnë për promovimin e sportit te fëmijët dhe tek ata me probleme shëndetësore. Një gjest i madh i djaloshit 19-vjeçar që po tregon se ka shumë ambicie. Kylian Mbappe lindi 161 ditë pas triumfit të Francës në 1998, ndërsa në këtë Botëror ai ka shansin ta bëjë vetë.