Ka ndërruar jetë ditën e sotme në spitalin e Zyrihut në moshën 66-vjeçare, Sergio Marchionne, ish-administratori i përgjithshëm i kompanisë së automobilave “Fiat-Chrysler”.
Bota e motorave qan sipërmarrësin e spikatur të lindur në qershorin e vitit 1952 në Chieti, gjeniu Marchionne njihet me se shumti për shpëtimin e FIAT nga falimentimi.
Marchionne, më vonë e shndërroi FIAT në një markë botërore, madje duke punuar deri në momentin e fundit për planet e së ardhmes.
Ai udhëhoqi Fiat-in për më shumë se një dekadë, ndërsa është zëvendësuar nga britaniku Mike Manley.
“Për fat të keq, ajo që kishim frikë ndodhi. Sergio Marchionne, ndërroi jetë”, tha John Elkann, anëtari i familjes Agnelli që udhëheq kompaninë FIAT.
Jeta e Marchionne-s
Studioi në Kanada e kishte diploma në filozofi, ekonomi e jurisprudencë, si dhe master në administrim biznes. Në 2014-ën mori në dorë frenat e Ferrarit, ku do duhej të qëndronte deri në vitin 2021.
Pas vitit të parë mjaft të vështirë, duke ditur se sa e rëndësishme është një Ferrari në vendet e para të Formula 1, ai bëri një plan investimesh dhe riorganizmi të brendshëm të skuadrës nga Maranello. Frytet u dhanë gjatë vitit 2017-të si fillim, e duken akoma më shumë gjatë këtij sezoni, ku italianët janë aktualisht kokë për kokë me Mercedes për titullin e konstruktorëve, si dhe atë të pilotëve me Sebastian Vettel.
Në vitin 2009, shpëtoi Chrysler nga falimentimi, me ndihmën e thesarit amerikan dhe bekimin e vetë presidentit të SHBA-së Barack Obama. Kështu lind Fiat Chrysler Automobiles, prodhuesi i 6 i makinave në botë.