Barcelona është duke e shqyrtuar mundësinë transferimit të qendërmbrojtësit të Tottenhamit, Toby Alderweireld, qysh në afatin kalimtar të janarit. Kontrata e 29-vjeçarit përfundon në fund të sezonit dhe katalonasit e kanë mundësinë ta blejnë atë për një çmim më të lartë.
E përditshmja britanike “The Mirror” raporton se Barcelona do t’i bëjë ofertë Tottenhamit në janar për transferimin e qendërmbrojtësit belg, pasi që klubi është duke u përballur me probleme në këtë pozitë.
Samuel Umtiti nuk pritet t’i kthehet futbollit deri në janar, ndërsa Thomas Vermaelen do të mbetet jashtë fushës për ta paktën gjashtë javë. Këto lëndime kanë bërë që klubi katalonas të ketë vende të zbrazëta në pozitën e qendërmbrojtësit, pasi që tani i kanë mbetur vetëm dy lojtarë të gatshëm për të luajtur në këtë pozitë.
Edhe vetë Alderweireldi kishte pasur probleme me lëndime gjatë sezonit të kaluar, dhe e kishte humbur vendin në formacionin e parë në skuadrën e Maurizio Pochettinos, i cili kishte filluar ta inkuadronte Davinson Sanchezin në vend të tij.
Edhe Manchester Unitedi ishte interesuar për belgun gjatë afatit kalimtar të verës, megjithatë ky transferim nuk e realizua dhe Alderweireldi mbeti në Tottenham. Megjithatë, është e paqartë nëse 29-vjeçari është i gatshëm ta rinovojë kontratën e tij me klubin londinez, pasi që raportohet se është i interesuar për ofertën e Barcelonës.
Alderweireldi kishte luajtur edhe më parë në La Liga. Ai kishte qenë futbollist i Atletico Madridit në vitin 2013, kur kishte bërë 12 paraqitje në ligën spanjolle.