Ylli argjentinas i Barcelonës nuk kishte mundësi të luante në ndeshjen e djeshme kundër Real Madridit në El Clasico për shkak të një lëndimi që kishte marrë tetë ditë më parë. Megjithatë, ai ishte dje në stadium për ta mbështetur skuadrën e tij.
Barcelona arriti ta mposhtë Real Madridin me rezultat 5-1 në këtë ndeshje përmes hat-trickut të Luis Suarez dhe dy golave nga Philippe Coutinho dhe Arturo Vidal. Golin e vetëm të madrilenëve në këtë ndeshje e shënoi Marcelo në fillim të pjesës së dytë, transmeton Gazeta Express.
Messi nuk kishte munguar as në këtë ndeshje, si edhe në ndeshjen e mesjavës të Ligës së Kampionëve, përkundër lëndimit. Ai kishte ardhur përsëri me të birin e tij në mbështetje të Barcelonës.
Edhe pse nuk ishte në fushën e lojës, Messi incizohej vazhdimisht nga kamerat në stadium për t’i parë reagimet e argjentinasit ndaj golave dhe rasteve të ndryshme të krijuara nga bashkëlojtarët e tij.