Skënderbeu ka marrë kreun e Superligës, pasi mposhti me rezultatin e pastër 0-2 Partizanin në transfertë. Një fitore që gëzon teknikun e korçarëve, Orges Shehi, i cili pas takimit u shpreh:
Ndeshje e luftuar nga të rinjtë, por e fituan ata me eksperiencë. E kishit menduar të tillë?
Për Muzakën ishte dilema më e madhe, pasi kishte një kontraktim. Nuk doja ta rrezikoja, doja ta kisha si alternativë. Ishte asi ynë nën mëngë, edhe pse jo në formën më të mirë.
Çfarë impulsi i jep skuadrës kjo fitore?
Pavarësisht kreut, kjo fitore i jep skuadrës besim, ego për të vazhduar para. Duhet të jemi me këmbë në tokë, dhe të mos mendojmë se kemi arritur gjithçka, sepse kur mendon kështu, do futeshim në dhe.
Strategji ajo me Muzakën?
Jo, unë nuk doja ta rrezikoja, sepse është i rëndësishëm. Mund të mungonte edhe më shumë nëse dëmtohej. Është stërvitur vetëm 2 ditë, por ishte zgjedhja ime që ta fusja si zëvendësim. E dimë zgjuarsinë që ka, merr topin dhe e tërheq ekipin
Guexh?
Ai ka ardhur më vonë nga të gjithë, gjendjen fizike nuk e ka të mirë. Kam kërkuar mesfushorë, dhe pozicioni ku ai luan, si dhe Demte e Muzaka, nuk kemi shumë alternativa.
Shumë dyluftime të fituar nga Partizani…
Jo vetëm dyluftime, me çfarë pashë unë dhe stafi, Partizani ka lojtarë cilësorë. I rrezikshëm është topi i dytë, e kishim punuar gjatë javës të mos rrezikojmë në ato zona. Problemi jonë në pjesën e parë është se nuk po mbanim topin. Loja jonë kërkon që ta kemi në kontroll, dhe jo me top të gjatë.
Jeni i kënaqur me këtë fitore, apo ekipi nuk funksionoi në diçka?
Sigurisht që fitorja të kënaq, sepse fiton ndaj një rivali direkt, në atë pozicion ku jemi. E kotë ta mohojmë që nuk na kënaq, por ka shumë vend për përmirësim, që të ecim akoma më gjatë. "-tha Shehi për "Supersport".