Mbrojtësi i Kombëtares, i fundit që kishte mbetur pa skuadër, pritet që sot të hedhë firmën mbi kontratë. Naser Aliji është konfirmuar nga trajneri i Dinamos së Bukureshtit si afrimi më i fundit i ekipit rumun, i cili do të afrohet si futbollist i lirë. Mirçea Redniç ka insistuar për shqiptarin dhe e ka pranuar publikisht se ka një akord mes palëve. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, mbrojtësi kuqezi ka postuar një foto në rrjetet sociale, teksa gjendet në aeroport, në momentin që ka udhëtuar drejt Rumanisë. Këmbëmajti kuqezi ishte pjesë e Virtus Entelës në sezonin e shkuar, e cila ra në Serinë C italiane. Pak kohë më parë, Aliji tregoi edhe dramën që kishte përjetuar në verë, teksa kishte humbur babanë.