Një gol i shënuar nga Gjergji Muzaka në minutën e 29-të i ka mjaftuar Skënderbeut për të marrë një fitore të çmuar 1-0 ndaj Kastriotit luftarak.
Stavri Nica kishte premtuar betejë dhe e mbajti fjalën, sepse Kastrioti luajti një ndeshje shumë dinjtoze, duke treguar se me pak fat mund të afrohet shpejt me zonën e mbijetesës, edhe pse mbetet në fundin e tabelës dhe po izolohet javë pas jave.
Skënderbeu vinte nga një fitore e madhe ndaj Partizanit dhe nisej favorit i madh, por duket se i duhen ndeshje të nivelit të lartë për t’u impenjuar në maksimum.
Gjergji Muzaka zgjidhi gjithçka me golin e shënuar në pjesën e parë, por goleada e pritur nuk erdhi, sepse Kastrioti luftoi deri në fund dhe Skënderbeu nuk ishte në ditë perfekte.
Në fundin e ndeshjes Kastrioti mori zemër dhe sulmoi me të gjitha forcat, ndërsa Bregu humbi në fundin e shtesës shansin për të shënuar golin e dytë, edhe pse porta ishte bosh.
Skënderbeu – Kastrioti 1-0
Shënues: Muzaka 29′
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Sambou, Aliti, Abazi, Dita, Guexh (Demte 66′), Muzaka, Gripshi (Fili 64′), Bregu, Krasniqi (Oto Xhon 76′). Trajner: Orges Shehi. Të gatshëm: Dajsinani, Radas, Lulaj, Guindo.
Kastrioti: Kuka, Husein, Çela, Domgjoni, Stijepoviç, Shehu (Shehi 88′), Ymeraj, Okebugu, Bardhi, Marku (Vatnikaj 73′), Atsina (Roxher 46′). Trajner: Stavri Nica. Të gatshëm: Puja, Neziri, Preston, Shehi, Caca.
Kartonë të verdhë: Demte 75′, Aliti 80′, Dita 91′ / Stijepoviç 47′, Okebugu 51′
Gjyqtarë: Kreshnik Barjamaj, Gernat Qirici, Redvan Shaba, Enea Jorgji