Sot derbi Partizani – Tirana/ Çfarë ndodh te klubet para sfidës

Premte, 30 November 2018 16:01

Derbi i kryeqytetit rikthet sot prej orës 18:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Takimi ndërmjet Partizanit dhe Tiranës sjell në skenë rivalitetin më të ashpër të kampionatit shqiptar. Niveli i lojës nuk pritet të shkëlqejë nisur dhe nga përbërja e të dy skuadrave, e ndryshe nga herët e tjerë as tifozeria, pasi “Tirona Fanatics” kanë zyrtarizuar bojkotin e tyre. Praktikisht, derbi ka marrë goditjen e parë që në start.

Megjithatë, në aspektin sportiv dhe rëndësinë e takimit për tabelën e klasifikimit, atmosfera e stadiumit nuk ka vlerë aspak. Partizani dëshiron të rikonfirmohet si kryesues, Tirana e Memës kërkon t’i jap fund krizës së rezultateve në derbi. Përballë në pankinat respektive do të jenë Skënder Gega që e ka fituar derbin e parë si trajner dhe Ardian Mema që i përjeton emocione të tilla për herë të parë. Të dy teknikët kanë vendosur për formacionet e tyre që do të rreshtojnë nga minuta e parë.

Gega deklaroi se do ta niste me Xhikën në portë, por duket se surpriza e bukur do të jetë Alban Hoxha. Kapiteni është munduar të gjejë ritmin e humbur pas shkëputjes thuajse 2 javore. Mbrojtja nuk ka ndryshime me Ibrahimin në të djathtë, Belicën dhe Atandën në qendër dhe Trashin në të majtë. Hila dhe Telushi janë më të avancuara para mbrojtjes. Përpara do të luajnë Asani, Mensah dhe Mala i rikuperuar. Në majë të sulmit do të jetë Bardhi.

Bardheblutë do ta nisin ndeshjen me Abibin në portë që ka fituar përfundimisht duelin me Ilion Likën. Në mbrojtje nga minuta e parë do të jetë Doka në të djathtë, Hoxhallari dhe Attingah në qendër dhe Imami në të majtë. Mesfusha e përbërë nga kapiteni Karabeci, Daja dhe Mawejje. Sulmi ka qenë pika e dobët e Memës, pasi do ta nisë nga e djathta me Sentamunë. Qendra i besohet Edon Hasanit, ndërsa në vend të Grecës pritet të luajë Halili. Një surprizë e Memës është dhe fakti që ka grumbulluar Ngoonë dhe Blazhevskin pas dëmtimit.

Formacionet e mundshme

Partizani: Hoxha; Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi; Telushi, Hila; Asani, Mensah, Mala; Bardhi. Tr. Skënder Gega.

Tirana: Abibi; Doka, Attingah, Hoxhallari, Imami; Karabeci, Daja, Mawejje; Sentamu, Hasani, Halili. Tr. Ardian Mema./marrë nga Telesport.al

Login to post comments