Kampionët e vitit 2018

Hënë, 31 December 2018 19:12

Nuk munguan sukseset për 2018-ën as në sportet e tjera, teksa Briken Çalja u “mbulua në ar”, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, në Rumani, ndërsa edhe në boks vlen të veçohen sukseset e Gjetan Ketës. Gjithashtu, edhe tenisi pati rikthime të emrave të mëdhenj, si Federer, Nadal dhe Djokovic, që u rikthyen te fitoret dhe kryesimi i renditjes botërore. Edhe NBA-ja ishe e mbushur me emocione dhe spektakël, ndërsa në fund triumfoi Golden State Warriors, që edhe këtë sezon po vijon dominimin. Më poshtë janë listuar të gjithë kampionët në eventet sportive më kryesore, por edhe sportistët shqiptarë, që arritën të ngrenë lart flamurin kuqezi.

2018-ta ishte viti i Briken Çaljas. Në peshën 69 kg, peshëngritësi shqiptar u “mbulua në ar” në Europianin që u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë në muajin mars. Me 146 kg në shkëputje, 175 në shtytje dhe 321 kg në total, Çalja fitoi 3 medalje të arta përfshirë këtu edhe dygarëshin, duke regjistruar një arritje të madhe për peshëngritjen shqiptare. Megjithatë Çalja nuk shkoi më shumë se vendi i 7-të në Botërorin që u zhvillua në Turkmenistan në nëntor dhe për këtë shkak u bënë edhe disa dëmtime të pësuara më herët.

Gjetan Keta nuk di të ndalet. Në 8 shtator të këtij viti, luftëtari nga Bulqiza pushtoi ringun e Dibrës së Madhe, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Gjetani mposhti pas 5 raundeve boshnjakun Sladan Janjanin, duke bërë të tijin titullin e WBU, federatës më të vjetër në botë në boks. Në arenën e Dibrës së Madhe, mbrëmjen e 8 shtatorit shkëlqeu edhe Ferit Keta, i cili mposhti në 4 raunde turkun Karakus, duke regjistruar fitoren e tij të 11-të në 11 ndeshje në boksin profesionist.

Jurgen Uldedaj fiton titullin kampion bote në WBO Junior. Gjithçka kulmoi me suksesin e Jurgen Uldedaj ndaj argjentinasit Nicolas Leandro Arganaraz, në ndeshjen e zhvilluar në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës. Boksieri lezhjan u shpall fitues pas 10 raundesh me një vendimin unanim të jurisë, duke fituar me pikë duelit ndaj rivalit të tij dhe duke vënë në brez titullin e kampionit të botës në kategorinë WBO Junior.

Luiza Gega e” Artë” në Ballkan e Mesdhe. 2018-ta ishte një vit tejet pozitiv për atleten shqiptare që arriti të marrë medalje të artë në garën e 3000 metrave me pengesa, në Lojërat Mesdhetare, ku vendosi edhe rekord. Luiza Gega fitoi medalje ari edhe në Lojërat Ballkanike, ndërsa për pak nuk arriti të merrte medalje në Kampionatin Europian të zhvilluar në Berlin të Gjermanisë. 29-vjeçaria, edhe pse bëri një paraqitje fantastike në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra, në fund u rendit vetëm e 4-ta, duke mbetur jashtë podiumit, edhe pse ishte gjatë gjithë kohës në vendet e para të renditjes.

Ky vit do të mbahet mend gjatë edhe nga atleti shqiptar në kërcim së gjati Izmir Smajlaj. Shkodrani fitoi dy medalje të arta fillimisht në Ballkaniadën e sallave të mbyllura, të zhvilluar në Stamboll dhe më pas në Europianin e shteteve të vogla, të zhvilluar në Lihtenshtejn. Gjithsesi Smajlaj dështoi të merrte medalje në Kampionatin Europian që u mbajt në Berlin të Gjermanisë, duke u renditur vetëm në vendin e 6-të, pasi kërceu 7 metra e 99 centimetra, duke mos mbrojtur dot titullin e fituar në Beograd një vit më parë. Pas përfundimit të Europianit të atletikës në Berlin, Smajlaj akuzoi gjyqtarët në garën e kërcimit së gjati se i manipuluan rezultatin.

Në basketbollin e meshkujve, 2018-ta i buzëqeshi Tiranës. Bardheblutë fituan titullin e 20-të në histori pasi mposhtën në finale Teutën, në një duel shumë të rivalizuar, i cili u zgjidh vetëm në ndeshjen e 5-të play-off . Falë suksesit 68-60 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Tirana mbrojti titullin kampion në basketbollin e meshkujve, duke u hakmarrë ndaj Teutës për atë disfatë në Superkupën e Shqipërisë.

Në basketbollin e femrave nuk kishte sërish histori me Flamurtarin që vazhdon të dominojë prej më shumë se 1 dekade. Skuadra e Viron Toskës mposhti 3-0 me ndeshje Tiranën në finalen e play-offit duke fituar titullin numër 22 në histori dhe trofeun e parë sezonal për 2018-ën pasi në Superkupë dhe në Kupën e Shqipërisë triumfet ishin të bardhebluve.

Në volejbollin e meshkujve u ngjit në piedestal Erzeni. Skuadra shijakase fitoi titullin kampion, një trofe që i mungonte prej plot 19 vitesh. Falë suksesit 3-1 me ndeshje në finalen e 4-t, Erzeni festoi një titull kampion të merituar duke lënë sërish thatë skuadrën e Ylli Tomorit. Për Erzenin ky ishte titulli i 4-t në histori.

Në volejbollin e femrave ishte viti i Partizanit “Të kuqtë” shkurorëzuan më në fund skuadrën e Barleti Volley. Pas 64 vitesh vajzat e kuqe fituan titullin kampion, pasi mposhtën 3-0 me ndeshje në finalet e play-offit, Barletin, duke i rikthyer një titull kampion që Partizanit i mungonte prej plotë 64 vitesh. Skuadra e trajnerit Tarja e mbylli në mënyrë perfekte 2018-ën, pasi fitoi edhe Kupën e Shqipërisë.

Pas tre finaleve të humbura, 2018-ta ishte viti i Bashkimit në basketbollin kosovar. Skuadra prizrenase mposhti në finalen e madhe të play off-it 3-1 me ndeshje kampionët në fuqi të Sigal Prishtinës, duke i shkurorëzuar pas plot 4 sezonesh. Një sukses i merituar për Bashkimin, që fitoi titullin e parë në histori në basketbollin kosovar pas 3 dështimeve në finale, ndërsa siguroi edhe pjesëmarrjen në turet kualifikuese të FIBA Champions League, ku Federata e Kosovës u ftua për herë të dytë radhazi.

2018-ta ishte viti i Polonisë në volejbollin e meshkujve. Përfaqësuesja polake mbrojti titullin e fituar 4 vjet më parë pasi mposhti sërish në finale Brazilin, duke bërë surprizën në kompeticionin që u zhvillua në Itali dhe Bullgari. Një sukses i merituar i djemve polakë me shifrat 3-0 me sete, në një ndeshje ku shkëlqeu volejbollisti Kurek autori i 24 pikëve. Ky ishte suksesi i dytë radhazi dhe i treti në një Botëror për Poloninë.

Serbia triumfon në volejboll për femra. Në Botërorin e volejbollit të femrave që u organizua në Japoni kishte festë për Serbinë. Vajzat ballkanase papritur u kthyen në surprizën e vërtetë të këtij turneu, pasi e fituan për herë të parë në histori teksa mposhtën në një finale spektakolare 3-2 me sete Italinë.

Në NBA nuk kishte surpriza. Golden State triumfoi për herë të tretë në 4 vitet e fundit pasi kaloi lehtësisht 4-0 Cleveland Cavaliers në serinë e finaleve të mëdha. Më shumë vështirësi Stephen Curry, Kevin Durant, Klay Thompson e Draymond Green hasën në finalen e konferencës së Perëndimit atë ndaj Houston Rockets të cilën e fituan vetëm në ndeshjen e 7-të.

Në Euro Leaguen e basketbollit, në shkallën më të lartë të podiumit, edhe në 2018-ën u ngjit Reali i Madridit. Los Blancos e fituan për herë të 10-të në histori këtë kompeticion pasi kaluan në finale me rezultatin 85-80 turqit e Fenerbahce Dogus. Në finalen e madhe, por edhe në Final Four-in që u zhvillua në Beograd të Serbisë lojtari më i mirë u shpall slloveni i Realit Luka Doncic, që aktualisht luan me Dallas Mavericks në NBA.

Djokoviç rikthehet në majë, në tenis për meshkuj. 2018-ta nisi mirë për Roger Federer që fitoi Australian Open, vazhdoi me suksesin e të përhershmit Rafael Nadal në Roland Garros dhe u mbyll me fitoren e dyfishtë të Novak Djokovic në Wimbledon dhe US Open, me tenistin serb që pas një periudhe të errët, u rikthye të jetë numri 1 në renditjen e ATP.

Vit i balancuar për tenisin e femrave. Te femrat në 2018-ën nuk kishte një teniste që bëri diferencën. Gjithçka nisi me suksesin e danezes Caroline Wozniacki në Australian Open, për të vijuar me triumfin e rumunes Simona Halep në Roland Garros. Në Wimbledon festoi gjermania Angelique Kerber, ndërsa në US Open fituese u shpall japonezja Naomi Osaka.

Në Superbowl fati i buzëqeshi skuadrës së Philadelphia Eagles. Këta të fundit mposhtën në finalen e madhe New England Patriots me rezultatin 41-33. Ky ishte titulli i parë në Superbowl për skuadrën nga Pennsylvania dhe i 4-ti në futbollin amerikan, në historinë e Philadelphia Eagles.

Në National Hockey League festoi Washington Capitals. Skuadra kryeqytetase fitoi për herë të parë në histori “Stanley Cup” pasi mposhti në finalen e madhe të play-offit lehtësisht 4-1 me ndeshje skuadrën e Vegas që ishte formuar vetëm 1 vit më parë por falë investimeve të mëdha arriti deri në finale.

Në Formula 1 triumfoi i përhershmi Lewis Hamilton. Piloti anglez i Mercedes fitoi titullin e tij të 5-të në karrierë, në një sezon ku rival kishte gjermanin e Ferrarit, Sebastian Vettel, por vetëm në gjysmën e parë të Botërorit të Formula 1, sepse më pas kampionati u dominua nga Hamilton, i cili e mbylli sezonin me 88 pikë më shumë se kundërshtari i tij. Titulli i konstruktorëve shkoi sërish për Mercedesin që fitoi sfidën me Ferrarin.

Në Moto Gp, edhe 2018-ta foli spanjisht, me Marc Marquez që vazhdon të fitojë. 25-vjeçari nga Aragon e dominoi nga fillimi e deri në fund kampionatin botëror duke fituar titullin e tij të 5-të në klasin mbretëror të garave me motorë dhe tashmë Marquez është vetëm dy kampionate larg Valentino Rossit dhe duke parë moshën e re të spanjollit, rekordet e Doktorit janë të gjitha për tu thyer. I dyti në klasifikimin e përgjithshëm u rendit italiani Andrea Dovizioso ndërsa podiumi u kompletua nga Valentino Rossi.

Nuk ka surpriza as në Rally. Edhe në kampionatin Botëror të garave me makina Rally, ligjin e bën vetëm një pilot dhe ai është francezi Sebastian Ogier. Piloti i Ford me makinën e tij, Ford Fiesta, fitoi titullin 6-të radhazi në Rally, duke lënë pas me 18 pikë distancë në klasifikimin e përgjithshëm belgun e Huyndai, Thierry Neuville.

Në çiklizëm 2018-ta ishte viti i britanikëve. Të tre turnetë e mëdhenj, të quajtur ndryshe Grand Tour, u fituan nga tre çiklistë nga Britania e Madhe. Në turin më të rëndësishëm çiklistik, Tour de France, fitues u shpall 32-vjeçari Geraint Thomas, i cili i surprizoi të gjithë. Në Vueltan e Spanjës fati i buzëqeshi anglezit Simon Yates, ndërsa Chris Froome u mjaftua vetëm me Giro D’Italian, turin e vetëm të madh çiklistik që i mungonte palmaresit të tij.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...