Galaktikët fitojnë derbin e Madridit

Saturday, 09 February 2019 20:27

Reali i Madridit fitoi me rezultatin 1-3 derbin ndaj Atletico Madrid, sfidë në të cilën më shumë se futbollistët protagonist u bëri “VAR”-i, thelbësor në 2 nga 4 golat e shënuar në total, anuloi një tjetër finalizim të Atleticos (Morata në pozicion milimetrik jashtë loje).

Një trepikësh shumë i rëndësishëm për “Los Blancos” që parakalojnë pikërisht “Los Colchoneros” në renditje, duke ngushtuar në 5 pikë diferencën me Barcelonën, që gjithsesi ka një ndeshje për të luajtur, atë të kësaj të diele me Athletic Bilbaon në transfertë.

Takimi u zhbllokua me një gol të bukur të shënuar nga Casemiro me roveshatë, i gjendur në vendin dhe kohën e duhur.

Atletico barazoi 9 minuta më vonë me Antoine Griezmann, i nisur në pozicion të dyshimtë. “VAR”-i konfirmoi pozicionin e rregullt të francezit, por nuk mori në konsideratë ndërhyrjen ndaj Vinicius.

Para se të mbyllej pjesa e parë, Vinicius fitoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Sergio Ramos.

Reali ishte më dinamik në lojë dhe në minutën e 74-t shënoi edhe golin e tretë me Gareth Bale, pas asistit të Luka Modric.

Për Atleticon ndeshja u mbyll me ndëshkimin e Thomas me kartonin e dytë të verdhë, 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Login to post comments