Skënderbeu gjen fitoren pas 3 muajsh

Hënë, 11 February 2019 20:39

Skënderbeu fitoi ndeshjen e fundit të javës së 21-të në Superiore, në shtëpi përballë Laçit. Ekipi i Orges Shehit, fitoi me shifrat 2-1, duke dominuar edhe në lojë.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar me të dy ekipet, që nuk u hodhën në aventurë, por krijuan pak raste. Më pas, në të dytën, Skënderbeu pati më shumë iniciativë, dhe rrezik po përbënin krosimet nga e djathta prej Gjergji Muzakës.

E në fakt, prej tij u nis edhe goli i parë i sfidës, ku Muzaka në të 55-tën krosoi një topi mjaft të bukur, dhe Krasniqi me kokë shënoi po në mënyrë kaq të bukur. Skënderbeu menaxhoi më pas lojën, duke mos e vënë në rrezik portën, por ia doli edhe të dyfishonte.

Ishte sërish Krasniqi, që në të 77-tën fitoi një penallti brenda zone, dhe topin e mori Marko Pervan, që përballë Selmanit nuk gaboi.

Laçi ia doli që të ngushtonte shifrat në minutën e 90-të, me një penallti të shndërruar në gol nga portieri Selmani, por vetëm kaq. Ekipi i Shehit, pas tre muajsh, rigjen fitoren, ku e fundit ishte ajo ndaj Flamurtarit në 11 nëntor, me shifrat 1-0.

Kështu, ujqërit parakalojnë Laçin në renditje, dhe shkojnë në vendin e katëert, me 33 pikë, ndërsa ekipi i Prengës mbetet me 31 pikë.

Login to post comments