Manaj sërish pa fat, e dëmton Sulley Muntari

E mërkurë, 20 February 2019 07:47

Rey Manaj është sërish i pafat, por këtë herë e pëson nga Sulley Muntari. Pas dëmtimit të rëndë që pësoi në fytyrë disa javë më parë, që e detyroi të vendoste një maskë si mjet mbrojtës për të luajtur, tashmë sulmuesi i kombëtares kuqezi ka marrë një tjetër goditje.

 

Manaj është dëmtuar në seancën e fundit stërvitore të Albacetes, pas një ndërhyrjeje të ashpër që ka pësuar nga ish mesfushori i Interit dhe Milanit, Sulley Muntari, i cili prej disa javësh është bërë pjesë e skuadrës spanjolle në Segunda Division.

Ganezi njihet për temperamentin e tij luftarak dhe lojën e rëndë. Ky është dëmtimi i dytë në vetëm pak kohë për 21-vjeçarin nga Lushnja dhe tashmë mbetet vetëm për t’u përcaktuar shkalla e lëndimit.

Manaj po zhvillon një sezon të mirë me Albaceten që renditet në vendin e parë të Segunda Division dhe synon ngjitjen në La Liga, pasi shqiptari ka realizuar deri tani 5 gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Mbretit.

Login to post comments