Thuajse 500 vjet më parë Francisco Pizarro, el Conquistador, kapte rob perandorin Kuzko dhe shuante perandorinë inkase në Peru.
Në 2019 një tjetër Pizarro, 40-vjeçari Claudio, merr përsipër rolin e "pushtuesit" dhe në Berlin fundjavën e shkuar shënoi një gol historik.
Në minutat shtesë të ndeshjes së Hertha-Werder sulmuesi legjendar shënoi golin e barazimit për Bremenin dhe njëkohësisht golin e përjetësisë për të.
Në moshën 40 vjeç e 136 ditë Pizarro u bë lojtari më i moshuar që shënon në Bundesligën gjermane.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga Miroslav Votava dhe rezistonte prej 1996: ishte koha kur Pizarro niste futbollin profesionist, te Deportivo Pesquero. Ishte koha kur luanin ende Maradona, Baresi e Brehme. Tani është koha e Zaniolos, Sanchos apo De Ligt, ndërsa Pizarro është ende aty, duke luajtur dhe duke mahnitur me golat e tij, të cilët nuk i kanë munguar kurrë, për 24 sezone rresht, edhe ky është rekord.