U-19, talentet: Ëndërr të luajmë për Shqipërinë

Premte, 22 February 2019 20:59

Shqipëria e 19-vjeçarëve ka përfunduar grumbullimin e rradhës për muajin shkurt. Në këtë grumbullim binte në sy larmishmëria e lojtarëve të grumbulluar, nga Italia dhe Anglia, talente shqiptare nga Maqedonia dhe përfaqësues të dalluar nga kampionati shqiptar.

Grumbullimi i parë ka brenda vetes dhe emocione të mëdha, të cilat disa prej lojtarëve i kanë rrëfyer për mikrofonat e “FSHF TV”.

“Jam shumë i kënaqur që jam këtu, kam shumë dëshirë të luaj për Shqipërinë. Më pëlqen shumë dhe ekipi  ka lojtarë shumë të mirë. Familja ime është  e kënaqur që unë jam këtu, më pëlqen shumë – shprehet Armando Broja, i cili është lindur në Angli. “E kam filluar futbollin në moshën 5-vjeçare, duke luajtur në park dhe me shokë, kanë ardhur të më shikojnë nga Totenhami, më kanë pëlqyer dhe për vite kam luajtur aty. Në moshën 10-vjeçare më ka blerë Chelsea dhe prej 7 vitesh luaj me skuadrën angleze. Idhulli juaj? Ronaldo, më pëlqen shumë. Nga Shqipëria pëlqej Armando Sadikun, lojtar i mirë dhe për më tepër ka edhe emrin tim”, ka përfunduar Armando Broja, 17-vjeçari që vjen nga Chelsea.

Për shumë Kombëtarja shqiptare është një ëndërr, e tillë ka qënë edhe për Alkeo Banin, që është grumbulluar për herë të parë nga trajneri Dede.

“Unë luaj për Watford, me ekipin U-18, në pozicionin e mbrojtësit të qendrës. Ndihem shumë mirë këtu, e kam pasur gjithmonë ëndërr për të luajtur me Shqipërinë dhe kur më mbërriti ftesa jam ndjerë shumë i lumtur. Nuk kam shumë emocione, por dua që të luaj gjithmonë. E kam pasur ëndërr dhe tani që jam këtu nuk kam shumë emocione, dua vetëm të luajë në fushë dhe të tregoj cilësitë e mija aty. Futbollin e kam filluar i vogël, në moshën 7-vjeçare dhe kam qënë në League 1 në Fleetwood Town, tani ndodhem ke Watford deri në fund të sezonit dhe shpresoj të marr një kontratë më të mirë. Idhulli im ka qënë Lorik Cana, por momentalisht pëlqej Gjimshitin, është mbrojtës shumë i mirë që e pëlqej, e ndjek në ndeshjet tek Atalanta”.

Një tjetër lojtar që shihet me shumë perspektivë, është Ernest Muçi, që vjen nga Tirana. “Është një privilegj shumë i madh të luash për Kombëtaren, një shtysë shumë e madhe për çdo futbollist në këtë moshë. Emocionet e të qenit këtu ekzistojnë, por janë emocione pozitive që të ndihmojnë për të bërë më të mirën”.

Login to post comments