Duka e Reja pro, Lenjani rikthehet në Kombëtare

E Enjte, 18 Prill 2019 11:23

Tomas Strakosha dhe Ermir Lenjani ishin dy çështjet më të nxehta që u krijuan nën menaxhimin e Kristian Panuçit. Portieri u la jashtë për arsye vonese, ndërsa i dyti reagoi se nuk do të vishej më kuqezi sa kohë të ishte Panuçi trajner.

Gjatë konferencës për shtyp të prezantimit të trajnerit të ri të Shqipërisë, Edi Reja u pyet sesi e gjykoni ju këtë qëndrim të lojtarit, pasi një sjellje e tillë mund të jetë problematike në të ardhmen. “Ai duhet të shohë kombëtaren jo për trajnerin, por për veten dhe federatën. Por, ka bërë 6-7 gola këtë sezon, dhe është një lojtar me vlera të mëdha. Është më shumë ofensiv, dhe disi më pak defensiv. Të gjithë lojtarët duhen vlerësuar dhe të shikojmë në çfarë gjendje janë, dhe më pas do bëjmë grumbullimin,” u shpreh trajneri 73-vjeçar.

Ndërsa për presidentin Duka, pyetja ishte në një tjetër spektër, pasi pak vite më parë, nën drejtimin e De Biazit, u vendos se nuk do të grumbullohej më kurrë me Kombëtaren, një lojtar që e refuzon atë.

“Në 2 këndvështrime nuk do të t’i thoja jo Lenjanit, sepse më ka gëzuar me kontributin e tij në Kombëtare, prej më shumë se 7-8 vitesh. Do ta kondicionoja shumë një trajner të ri, po t’i thoja që s’do të marrësh këtë, dhe kështu do i bëja skuadrës. Pavarësisht se çfarë thuhet, Lenjanit i ka shkuar ftesa me shumë vonesë, të përcaktuara nga rregulloret e FIFA,” deklaroi Duka, duke “justifikuar” në një farë mënyre shpërthimin e anësorit të Sionit një muaj më parë.

Login to post comments