Tirana e Partizani duan vetëm fitore, edhe pse “i bëjnë nder” njëra-tjetrës

Premte, 19 Prill 2019 22:20

Java e 30-të e Kategorisë Superiore sjell duele ekstremesh, siç është ai ndërmjet Partizanit kryesues dhe Kastriotit që është në zonën e rënies nga kategoria. Të tilla janë edhe përballjet ndërmjet Tiranës dhe Kukësit, apo Flamurtarit me Luftëtarin. Objektivat janë shumë të ndryshëm, me skuadra që kërkojnë të sigurojnë një biletë drejt Europa League dhe të tjerave që synojnë të qëndrojnë në elitë.

Secili rival me objektivat e veta në fushë, të përqendruar te sfidat e radhës, por me ecurinë të ndërlidhur në mënyrë të pashmangshme me njëra-tjetrën. Tirana luan ndaj Kukësit me synimin që të fitojë pikët e mbijetesës, por në të njëjtën kohë mund t’i bëjë nder Partizanit drejt kurorëzimit kampion. Të kuqtë nga ana tjetër mund t’ua shpërblejnë duke frenuar Kastriotin.

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, duke drejtuar stërvitjen

“Objektivi ynë është të mbajmë vendin e dytë dhe të fitojmë Kupën. Tirana është në një  moment të vështirë dhe kjo e bën edhe ndeshjen mjaft të vështirë”, thotë trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka. “Edhe me Shkëndijën e kam humbur një kampionat sepse nuk kemi luajtur në shtëpinë tonë. Kjo ia ka lehtësuar punën rivalëve tanë, pa ia hequr meritat Partizanit”, shtoi mbrojtësi, Ardian Cuculi.

Për Tiranën fitorja është jetike, edhe pse kjo do të thotë që në mënyrë indirekte do të ndihmonin rivalët e mëdhenj të Partizanit ti afroheshin titullit.

Ardian Mema, trajner i Tiranës

“Tifozllëk me Partizanin? E kam thënë edhe njëherë, pasi kemi fituar me Kukësin fazën e tretë, dhe një nga pyetje që m’u bë ishte se po nxirrni Partizanin kampion. Thashë një nga gjërat që nuk dua ta bëj kurrë është ta nxjerr kampion Partizanin. Kampionati i tillë është me pikë. Ndonjëherë ju bën nder, ndonjëherë jo. Ata i kanë pikët me meritë. Kukësi ka lënë pikë në momente të caktuara. Kampionati kështu është, gabimet duhet të jetë të pakta”, u shpreh Ardian Mema, trajneri i Tiranës.

Në anën tjetër, edhe Partizani mund ta ndihmojë Tiranën, duke i mbajtur larg një rival për mbijetesën si Kastrioti, me trajnerin Skënder Gega që hedh poshtë mundësinë e tolerimeve, mbi të gjitha kur flitet për derbin e fundit të sezonit. “Kundërshtarët tanë shekullorë nuk është se nuk i duam në ligë. Është punë e tyre, nuk marr asgjë nga ata. Jam trajner i Partizanit. Mendoj si profesionist. Tirana i jep bukuri, ashtu si Dinamo dhe Vllaznia. Teknikisht do doja të ishin në ligë gjithmonë, por nuk ka lidhje me atë që të ndihmojmë Tiranën. Derbi i fundit është i veçantë, do kërkojmë ta fitojmë. Nuk mendojmë për ta”, tha Skënder Gega, trajner i Partizanit.

Skënder Gega, trajner i Partizanit

“Kemi dhe shtatë ndeshje për t’u shpallur kampionë. T’i marrim një nga një ndeshje dhe më pas do të flasim për titullin”, shtoi sulmuesi Jasir Asani.

Login to post comments