Nën drejtimin e Edi Rejës prisni një Shqipëri më sulmuese. Trajneri italian është i fiksuar të pas skemës 3-5-2 dhe ndaj Islandës pritet një rreshtim me dy sulmues.
Në stërvitjen e djeshme në Gjermani, aty ku kuqezinjtë janë të grumbulluar që prej së dielës, Reja ka bërë një test kontrolli, nga ku ka lënë të kuptohet edhe formacionin që mund të përdorë ndaj Islandës.
Me Etrit Berishën të sigurt në portë, duket se në rolet e tjera do të ketë vend edhe për ndonjë ndryshim me kalimin e ditëve. Treshja e mbrojtjes që ka bindur deri më tani Rejan është ajo me Dermakun, Ismajlin dhe Veselin. Nga krahët e mesfushës, por që në pozita pritjeje natyrisht bëhen mbrojtës tipik, do të vendosen Hysaj dhe Aliji.
Ndërsa në qendër të mesfushës Reja ka menduar të hedhë Ramadanin si shkatërrues, si dhe Xhakën e Ndojin. Risia është në sulm, ku 74-vjeçari i beson formës së mirë të Cikalleshit dhe Uzunit.
Gjithsesi, edhe Sadiku është kandidat për ta nisur nga fillimi, paçka se dje u përdor me formacionin e dytë, ku në krah kishte Balajn. Kujtojmë se në ndeshjen ndaj Islandës mungon kapiteni Mavraj, i cili nuk ka shlyer ende pezullimin, teksa do të jetë gati ndaj Moldavisë.
‘Panorama Sport’ së fundmi ka publikuar formacionin e mundshëm ku befasues është sigurisht reparti i sulmit në të cilin pritet të aktivizohet dyshja Cikalleshi-Uzuni.