E mori nga hiçi dhe e bëri të fitonte shtatë tituj botërorë në Formula 1 dhe ka qenë gjatë gjithë kohës pranë tij. Por tani, Ulli Veber, ish-agjenti i i Shumakerit, nuk e shikon gjermanin prej gjashtë vitesh, ose që kur kampioni i F1 pësoi atë aksident në vitin 2013 që e ka lënë me pasoja të rënda. Veber, i intervistuar nga portali gjerman Express.de, tregon se është gruaja e Mikaelit që e ndalon të shohë mikun dhe ish-pilotin e tij.
“E di që Mikael ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe asgjë më shumë. Nuk e di në ka bërë progrese me rehabilitimin ose jo. Dua ta shoh, t’i shtrëgoj dorën, por gruaja e tij, Korina, nuk më lejon. Ka frikë se zbuloj të vërtetën e gjendjes së tij dhe e bëj publike. Gjithsesi, unë besoj se Mikael do të shërohet sepse ai është një luftëtar. Nëse ka një mundësi, ai do e shfrytëzojë. Nuk mund të jetë ky fundi i tij. Lutem çdo ditë për të dhe jam i bindur se do ta shohim sërish”.