Luka Modric është lidhur kohët e fundit me një largim nga Reali i Madridit edhe pse ka qenë përcaktues në vitet e fundit për “Los Blancos”. Madje kroati është futbollisti i fundit nga “Galaktikët” që ka fituar trofeun e “Topit të Artë”.
Por pavarësisht arritjeve, situata ka ndryshuar dhe Modric mund të ndryshoj ambient. Kjo për shkak edhe të moshës së tij, por edhe nga dëshira për të provuar një sfidë të re në karrierë pas aventurës në Premier League dhe në La Liga.
Kroati ka zbuluar se do t’i pëlqente që një ditë të luajë në Itali, mes spekulimeve se ai mund të largohet nga Real Madridi verën e ardhshme.Kontrata e 34-vjeçarit me Real Madridi do të përfundojë në fund të këtij sezoni dhe Modric është gati të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
“Më pëlqen Italia, është afër Kroacisë. Unë e ndjek kampionatin italian sepse kam shumë bashkëlojtarë të Kombëtares së Kroacisë që luajnë aty. Italia është një vend fantastik. Njerëzit janë të shkëlquer dhe kanë një mentalitet të ngjashëm me ne kroatët. Do ta shohim nëse një ditë do të kem mundësi të luaj në këtë ligë, por tani nuk mund të flas për këtë sepse jam lojtar i Realit të Madridit. Më pëlqen të jem në Madrid dhe për momentin e shoh të ardhmen time vetëm këtu”, tha kroati në intervistë për “Sky Italia”.
Modric është duke zhvilluar sezonin e tij të tetë me “Los Blancos” dhe gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar një La Liga dhe katër trofe të Champions League.Kohët e fundit, emri i tij është lidhur me Paris Saint-Germain, Inter dhe Milan. Në këtë sezon, kroati ka grumbulluar 9 ndeshje 1 gol dhe 3 asiste mes kampionatit dhe Champions.