Komentatori i njohur, Kosta Grillo ka shpërthyer me kritika ndaj emrit për stadiumin e ri Kombëtar, “Air Albania”. Në një intervistë për SYRI.net, Kosta Grillo tha theksuar se në asnjë vend të Europës apo duke shkuar deri në Brazil apo Afrikë të Jugut nuk ka parë stadium me qendër tregtare.
Air Albania? “Nuk kam qenë dakord as me emrin “Qemal Stafa pasi nuk ka pas lidhje me futbollin. Jam i çuditur me emrin “Air Albania” nuk e di arsyen e këtij emri të çuditshëm. Nuk e perceptoj dot këtë emër që i është vendosur, por çfarë do që të themi ne nuk kemi ndonjë rol të madh pasi nuk ndryshon asgjë.
Qendër tregtare? "Nuk kam parë në asnjë vend të Europës stadium me ndonjë shtojcë tjetër. As në Brazil as në Afrikë të Jugut. Duhet ta pranojmë që nga gjithë vendet ballkanike ky është stadiumi më i bukur, por në asnjë nga këto stadiume nuk ka qendër tregtare. Holandë, Francë, Spanjë, Gjermani s’kam parë qendër tregtare apo ndonjë diçka tjetër që s’ka lidhje me futbollin"
Kosta Grillo ka dhënë kontributin e tij të madh pasi prej vitit 1991 ka komentuar pjesën më të madhe të ndeshjeve të përfaqësueses kuqezi, por zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk e ftuan në tribunën e stadiumit të ri për të ndjekur ndeshjen Shqipëri – Francë.
“Nuk kam marrë përgjigje përse nuk jam ftuar, madje nuk kam as kontakt me zyrtarë të FSHF-së. Jam i habitur dhe njëkohësisht i fyer pasi në përballjen kundër Francës ishin ftuar shumë figura që kanë dhënë kontributin e tyre për përfaqësuesen, por janë harruar edhe shumë të tjerë. Jam duke pritur një përgjigje zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit”, tha ai.