Chelsea një test force për Bayern, të gjitha parashikimet janë për bavarezët

Tuesday, 25 February 2020 13:00

Të gjithë e shohin favorit për të kaluar në çerekfinale dhe mes pretendentëve për të fituar Champions League. Por Bayern Munich duhet të tregojë se këto pritshmëri nuk janë të gabuara, duke nisur nga transferta e Londrës ku e pret Chelsea për sfidën e vajtjes në 1/8 e turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.

Bavarezët vijnë në këtë përballje si kryesues në Bundesligë, por gjithsesi të prekshëm në mbrojtje. Dy golat e pësuar në sfidën e fundit kundër Paderborn nuk janë një sinjal i mirë për Hansi Flick dhe të besuarit e tij.

“E dimë se çfarë duhet të bëjmë. Te Bayern jemi gjithmonë të detyruar të fitojmë. Është në ADN e klubit. Kemi kualitetin e duhur për t’ia dalë, por gjithsesi duhet të përmirësohemi”, ka thënë Hansi Flick. Përveç mungesave të ditura të Sule, Perisic dhe Martinez, në dyshim për Bayern është edhe Goretcka.

Ashtu si parashikimet në prag të kësaj sfide edhe Frank Lampard sheh si favoritë formacionin gjerman. Por kjo nuk do të thotë se trajneri i Chelsea nuk beson te kualifikimi. “Preferoj që njerëzit jashtë fushe të na konsiderojnë më të dobët. Nuk është habi që Bayern është më i fortë. Por Champions është e bukur edhe për faktin që të jep mundësi të luash në ndeshje të tilla dhe pse jo të fitosh”, ka thënë Lampard në konferencën për mediat.

Blutë e Londrës vijnë në këtë ndeshje me mungesa të rëndësishme si ato të Pulisic dhe Kante, ndërsa në dyshim mbetet edhe aktivizimi i Pedro.

Login to post comments