Armando Sadiku ka folur për gjendjen alarmante në Spanjë për shkak të koronavirusit.
Në një reagim për Top Channel, sulmuesi i Kombëtares shqiptare tregon si po e përjeton pandeminë e Koronavirusit në qytetin andaluz, ku humbi jetën një trajner vetëm 21-vjeç, pasi u infektua me virusin famëkeq.
“Kemi dy javë që qëndrojmë të mbyllur dhe, faleminderit Zotit, jemi mirë deri tani. Fatmirësisht, nuk ka asnjë të infektuar te Malaga, ndërsa në Spanjë i kanë marrë masat me vonesë ka shumë të prekur. Sa hap televizorin nuk dëgjon asgjë tjetër veçse “Koronavirus, virus, vdekje”. Po jetojmë një moment të vështirë. Unë jam person pozitiv dhe mendoj kështu, që do t’ia dalim sa më shpejt.
Në dhomat e zhveshjes vetëm talleshim dhe bënim shaka me Koronavirusin. Unë gjithashtu bëja video me maska dhe bëja shaka. Doktori i ekipit na thoshte që nuk ka asgjë, e kalon lehtë Koronavirusin, nuk ka gjë të rrezikshme dhe është vetëm për të moshuarit.
Pastaj, kur vdiq ai trajneri 21-vjeçar në Malaga, që kishte edhe leucemi, na kanë dërguar direkt në shtëpi. Kjo pasi tek ky trajneri ishin dhe dy fëmijë të lojtarëve tanë dhe gjendja u bë serioze.”
Edhe pse është e vështirë, Sadiku shpjegon se po mundohet të mbajë formën fizike në kushtet e karantinimit.
“Kam një shtëpi dhe tarracë të madhe dhe po stërvitem këtu, gati çdo ditë. Tani po i zbatojnë shumë rregullat në Spanjë, njerëzit nuk dalin dhe kur e bëjnë këtë gjë për ushqimet, janë të pashoqëruar. Më kishte ardhur ftesa nga Kombëtarja dhe do të isha gati për këto dy ndeshje miqësore, por janë anuluar”.