Jemi në qytetin e Laçit, vetëm 100 metra larg Komisariatit të Policisë, ose ndryshe e njohur si rruga kryesore e pazarit. Ora shënon 2:53 e mëngjesit të 1 qershorit, kur një automjet tip “Benz” 4 fenerësh, ngjyrë gri ndalon pranë dyqaneve.
Nuk zbret një por plot 5 persona, të gjithë të veshur me të zeza ose të paktën ngjyrë të errët. Në kokë mbajnë kapuça dhe kapele, ndërsa në duar leva.
Kjo është videoja e filmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve që ka dërguar në redaksinë e “BalkanWeb” një qytetare nga Laçi që denoncon një tentativë grabitje të ndodhur pak ditë më parë.
Ajo thotë se bandat dalin natën në mes të qytetit dhe tentojnë të grabisin dyqanet. Megjithëse është një rrugë kryesore, sipas qytetares në fjalë gjatë gjithë natës nuk ka asnjë patrullë policie në lëvizje.
Ndërkohë në video, 4 prej personave shkulin disa dërrasa për të hapur dyqanin, por më pas i pesti që ruan duket që shikon lëvizje dhe lajmëron të tjerët që të ikin duke i dhënë fund kështu tentativës së grabitjes. Nga ana e policisë së Kurbinit nuk ka informacion për këtë ngjarje.