Një lokal në Fier është bërë objekt i sulmit me kallashnikov. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “8 Shkurti” të Fierit ku breshëria e plumbave ka dalë nga një automjet tip “Reno” në drejtim të lokalit të shtetasit Agim Boriçi.
Makina është larguar në drejtim të Semanit dhe rreth orës 11:50 është gjetur e djegur në lagjen “15 Tetori” Fier. Në brendësi të makinës është gjetur një armë kallashnikov dhe një karikator.
Boriçi është një nga personat më të njohur në qytetin e Fierit, i akuzuar për vrasje, gjoba, dhe disa vepra të tjera penale, duke përfshirë dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Boriçi vite më parë është dënuar dhe me 20 vite burg nga ana e Gjykatës. Ai u arrestua nga forcat RENEA në vitin 2008, në një aksion që u trumbetua me mjaft zhurmë nga ana e Policisë.
Emri i tij për vite me rradhë ka qenë ndër më të kërkuarit nga ana e drejtësisë, ndërsa ngjarja e sotme ka shkaktuar panik në të gjithë zonën, pasi lokali është pranë ambjenteve të një shkolle. Nuk raportohen të plagosur.