Është krijuar Aleanca e Shoqatës kundër TVSH-së me qëllimin për të kundërshtuar përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së. Lajmi u dha nga Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm në Shqipëri, Albert Nasto, përmes një konference për mediat.
Ai falenderoi tregtarët, të cilët iu bashkuan protestës, duke ulur qepenin e biznesit për një orë mesditën e së martë
“Shoqata do të mbetet në pritje të një reagimi nga qeveria për një kohe të limituar dhe në mungesë të një reagimi pozitiv, paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave” tha Nasto.
“Modeli i aplikuar nga Ministria e Financave, që fut bizneset e vogla nën regjimin e TVSH nuk është konsultuar me grupet e interesit, nuk mbështetet nga FMN, Banka Botërore dhe BERZH dhe njëkohësisht nuk i ngjan asnjë modeli europian”-, përfundoi kreu i shoqatës.