Bizneset ende të paqartë, Drejtoria e Tatimeve detyrohet të shpjegojë hapat

E Enjte, 12 Prill 2018 15:21

Ndryshimet ligjore në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar kanë hyrë në fuqi më 1 prill dhe janë shoqëruar me debate të forta.

Përvecc faktit se cilat do të jenë pasojat e këtyre ndryshimeve ligjore është ende e paqartë për qytetarët mënyra se si do i mblidhen taksat bizneseve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve jep një sërë hapash se si të veprojnë bizneset:

  1. 1. Ndryshoni shkallën tatimore në pajisjen tuaj fiskale, duke vendosur masën 20% apo shkallët e reduktuara sipas fushës së veprimtarisë tuaj.
  1. 2. Për mallrat gjendje, që dispononi me qëllim për t’u shitur, në vijim do të llogaritet TVSH-ja në shitje. Inventari i mallrave gjendje më datë 31.03.2018, duhet të dorëzohet në drejtorinë rajonale tatimore në të cilën jeni i regjistruar si dhe do të ngarkohet në e-Filing, tek rubrika “Çështjet e mia”, brenda datës 30 Prill 2018.
  1. 3. Merrni masat të pajiseni me blloqe të faturave tatimore, që mund t’i tërhiqni pranë drejtorisë rajonale tatimore ku jeni i regjistruar. Faturat tatimore, duhet të përdoren në të gjitha rastet kur do të kryeni transaksione me vlerë mbi 40,000 lekë dhe/ose nën këtë vlerë kur e kërkon blerësi.
  1. 4. Për çdo blerje malli apo shërbimi, duhet të zotëroni faturën përkatëse tatimore të blerjes. Vetëm kështu mund të zbrisni TVSH-në e blerjeve nga TVSH e shitjeve. Gjithashtu, duhet të justifikoni çdo mall gjendje me faturën përkatëse të blerjes. Faturat me dhe pa TVSH, duhet t’i regjistroni tek Libri i Blerjes, te kolonat përkatëse.
  1. 5. Regjistroni në mënyrë kronologjike në librat e shitjes, çdo faturë tatimore shitjeje të lëshuar nga ana juaj, si dhe qarkullimin ditor të memorizuar të pajisjes fiskale në një shifër të vetme.
  1. 6. Librat e blerjes dhe të shitjes dorëzohen çdo tre muaj, brenda datës 10 të muajit pasardhës të tremujorit përkatës. Afati i parë i deklarimit të librave të blerjes dhe shitjes është data 10 Korrik 2018, për periudhat tatimore: Prill-Maj-Qershor 2018.
  1. 7. Deklaratat e TVSH-së plotësohen mbi bazën e të dhënave mujore të librave të blerjes dhe shitjes. Ato duhet të dorëzohen çdo tre muaj, brenda datës 14 të muajit pasardhës të tremujorit përkatës. Konkretisht për muajt: Prill-Maj – Qershor 2018, afati i parë i këtij deklarimi është data 14 Korrik 2018.

Për muajt: Korrik-Gusht- Shtator 2018, afati i deklarimit është data 14 Tetor 2018. Për muajt Tetor – Nëntor – Dhjetor 2018 afati është data 14 janar 2019.

Login to post comments