Për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Fierit, ku u qëllua me armë në drejtim të një lokali kanë dalë të tjera detaje. Mësohët se pronari i tij është Agim Boriçi i njohur ndryshe si i “tmerrshmi” i Fierit, që akuzohet për të paktën tre vrasje të dokumentuara dhe një nga pjestarët e bandës famëkeqe të Lushnjes.
Kjo ngjarje e regjistruar paraditen e djeshme në lagjen “15 Tetori” ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë duke pasur parasysh të kaluarën e tij, edhe pse ende nuk dihet nëse Boriçi ka qënë shënjestra e sulmit.
Autorët kanë qëlluar plot 15 herë në drejtim të lokalit të Boriçit, gjë që nuk përjashton mundësinë që të shtënat të kenë qënë një paralajmërim për njërin nga njerëzit më “të frikshëm” të qytetit.
NGJARJA
Rreth orës 11:00 është qëlluar nga një mjet në ecje e sipër mbi lokalin e Agim Boriçit. Policia u vu në ndjekje të personave që kishin shtënë me armë mbi lokal por ka mundur të gjejnë të braktisur dhe të djegur makinën nga u qëllua në lagjen “8 Shkurti”. Brenda makinës tip “Reno” u gjet edhe një kallashnikov. “Në datën 11.04.2018, rreth orës 11:45 në lagjen “8 Shkurti” Fier, nga një automjet tip “Reno” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit A.B. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale ku janë thyer xhamat e lokalit. Makina është larguar në drejtim të Semanit dhe rreth orës 11:50 është gjetur e djegur në lagjen “15 Tetori” Fier”,- sqaroi policia.
KUSH ËSHTË AGIM BORICI?
Agim Boriçi është një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare. Boriçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, për dy vrasje të ndodhura në vitet 1994 dhe 1998 në Shqipëri. Ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim për veprat penale “vrasje me dashje” të shtetasit Ervin Gjini, më 12 prill të vitit 1994, “vrasje me dashje”, të shtetasit Edmond Zefi dhe “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë të shtetasit Agim Ulaj, më 5 qershor 1998. Po ashtu është shpallur fajtor dhe dënuar edhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Shtetasi Agim Boriçi është i dyshuar edhe si autor i disa veprave të rënda penale të ndodhura në qarkun e Fierit. Gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit u arrestua dhe shtetasi Sabri Sallaku, 42 vjeç, lindur e banues në Tiranë, për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”./ Ballkanweb