Policia spanjolle ka arrestuar dy shtetas rumunë që po tentonin të trafikonin 9 shtetas shqiptarë për në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë arsye, autoritetet kanë shtuar numrin e agjentëve në porte të ndryshme të vendit.
Mediat në Spanjë shkruajnë se është parë kohëve të fundit një rritje e madhe e kriminalitetit, ku përfshihen shqiptarë. Duke filluar nga trafikimi i drogës dhe grabitjet, tashmë shtetasit shqiptarë janë në qendër të vëmendjes edhe për tentativat e tyre për të emigruar në mënyrë të paligjshme për në Britaninë e Madhe. Për këtë, autoritetet kanë dërguar agjentë në portin e Bilbaos për të përforcuar kontrollet.
Vendimi është shtyrë pas ripërsëritjes së rasteve të trafikut të qenieve njerëzore. Policia ka zbuluar dhe arrestuar sëfundmi 9 shtetas shqiptarë në brendësi të një kamioni, i cili do të udhëtonte për në Mbretërinë e Bashkuar me anë të një trageti. Bashkë me ta janë arrestuar dhe dy trafikantët rumunë. Në Bilbao, në fakt, numri i udhëtarëve të zbuluar nga forcat e sigurisë është shumëfishuar në vitet e fundit, shkruan El Diario.
Delegacioni qeveritar njoftoi përforcimin e mbikëqyrjes së Porteve në një njoftim për shtyp në të cilin është theksuar arrestimi i kohëve të fundit i 39 personave që formuan disa qeliza operative përgjegjëse për trafikun e paligjshëm të 7,000 shtetasve me origjinë shqiptare. Ndërkohë, përveç kësaj mënyre, shqitarët kanë gjetur dhe një mënyrë tjetër, për të arritur në “tokën e tyre të ëndrrave”. Këta të fundit tani po kërkojnë rrugë të reja dhe të rrezikshme për të hyrë në tragete, të tilla si kanalizimet e porteve, ku hyjnë kur batica është e ulët./abcnews.al