Nga shtatori "Rruga e Kombit" me pagesë, shndërrohet në një supermarket

Saturday, 16 June 2018 16:27

Tarifa në Rrugën e Kombit do të rinisë në 17 shtator. Për banorët e Kukësit dhe transportin publik tarifa do të jetë 100 lekë, ndërsa për frekuentuesit e shpeshtë do të ketë ulje nga 10% deri në 40% në varë të numrit të kalimeve në një muaj.

Pagesa në Rrugën e Kombit do të rinisë në 17 shtator.Burime nga grupi negociator ndërministror bëjnë me dije se është arritur marrëveshja që për banorët e qarkut Kukës dhe për 11 linja të transportit publik, tarifa do të jetë 100 lekë për një kalim.

Ndërkohë që edhe për përdoruesit e shpeshtë është vendosur ulje e tarifës e cila do të përllogaritet në bazë të lëvizjeve që do të kryhet në një muaj.

Sa më shumë të udhëtojë një qytetar apo një biznes, aq më shumë ulje përfiton, e cila varion nga 10% në 40%.

Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje-ardhje.

Kjo pagesë u kundërshtua nga banorët për të cilët në kontratën e koncesionit parashikohej që të kishte lehtësira, por vetëm 6 muaj pas hyrjes në fuqi të taksës derisa të identifikoheshin përdoruesit e shpeshtë.

Kjo çoi në zemërimin e qytetarëve të Kukësit, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.

Pavarësisht këtyre lehtësirave, banorët e Kukësit dhe drejtuesit vendorë kanë kërkuar që pagesa për ta të jetë 0 lekë.

Tarifa për qytetarët e tjerë do të mbetet 5 euro por do të ofrohet ulje në bazë të numrit të frekuentimeve.

Vendosja e tarifës u shty pas sezonit turistik edhe si pasojë e kërkesës së bërë nga bizneset kosovare dhe përfaqësuesit e qeverisë, në mënyrë që të mos rezultonte një barrë më tepër për pushuesit që vijnë nga Kosova.

Për përdoruesit e shpeshtë është parashikuar që:

Nga 10 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë përfiton zbritje në masën 10%

Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë përfiton zbritje në masën 20%

Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë përfiton zbritje në masën 30%

Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë përfiton zbritje në masën 40%.

Login to post comments