Përdorimi mesatar i telefonit celular ka arritur nivelin rekord prej 182 minutash në muaj gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Sipas statistikave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përdorimi mesatar i telefonit celular për thirrje u rrit me 21% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2017. Rritja e përdorimit mesatar ka ardhur edhe nga ulja e ndjeshme e numrave celularë aktivë.
Pas daljes nga tregu të Plus, në tremujorin e parë të këtij viti, numri i kartave SIM aktive ra me 20%. Pakësimi i numrave aktivë është një tendencë që ka nisur prej disa vitesh, pasi AKEP ndaloi diferencimin e tarifave për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit. Kjo bëri që gradualisht përdoruesit të heqin dorë nga mbajtja e disa numrave celularë. Nga pikëpamja statistikore, kjo po rezulton në rritje të përdorimit mesatar për çdo numër celular aktiv.
Përdorimi është rritur jo vetëm për thirrjet, por edhe për shërbimet e tjera. Numri i mesazheve të shkruara për çdo përdorues aktiv arriti në 38 në muaj, në rritje me 18% që nga tremujori i fundit 2017. Ndërsa përdorimi i internetit arriti në 2.66 Gb në muaj, në rritje me 16% nga tremujori i fundit i vitit të kaluar. Teknologjia 4G dhe rritja e përdorimit të telefonave inteligjentë po e rrit me ritme të shpejta përdorimin e këtij shërbimi nga celularët.