Krimet në fushën e doganave kanë shënuar një rritje të dukshme gjatë vitit të shkuar. TV SCAN ka zbardhur të dhënat zyrtare të Prokurorisë, sipas së cilës rezulton se në vitin 2017 ka një rritje prej 49,5 % të numrit të procedimeve të regjistruara për krime në fushën e doganave në krahasim me 2016. Gjatë vitit të shkuar nga prokuroritë në gjithë vendin janë regjistruar 308 procedime për këtë vepër penale, nga 602 një vit më parë.
Ky grup veprash penale kryesohet nga kontrabanda e mallrave, veçanërisht ato të akcizës. Tregtimi dhe transportimi i mallrave të kontrabandës është një tjetër vepër penale e këtij grupi që është vënë shpesh nën hetim nga prokuroritë. Ndërkohë që rritje kanë shënuar edhe hetimet për mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë, ku kemi 38 procedime për vitin 2017.
Por ndërsa kemi rritje të numrit të hetimeve, rezulton e kundërta me rastet e dërguara për gjykim. Rezultojnë me ulje prej 10,6 % procedimet e dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2016. Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2016 prej 7 %, numri i të pandehurve të cilët janë dërguar në gjykatë është ulur me 17,3 %, ndërsa numri i të pandehurve të dënuar nga gjykata është ulur me 27,3 % krahasuar me vitin 2016.