Personat që punojnë njëkohësisht në dy ose më shumë subjekte me kontratë pune pavarësisht llojit të saj, duhet të deklarohen nga subjektet në Drejtorinë Rajonale Tatimore sikur të mos ishin të punësuar nga një punëdhënës tjetër. Informacioni është publikuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në rubrikën “Tatimet Këshillojnë”.
Më tej, thuhet se për personat e punësuar në dy tatimpagues, listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi bëhet nga të dy tatimpaguesit, si më poshtë:
a)Kur shuma e pagave bruto mujore, që punonjësi merr nga të dy tatimpaguesit është më e vogël se kufiri i pagës maksimale për kontributet shoqërore, atëherë për këtë punëmarrës, secili prej subjekteve në mënyrë të pavarur, llogarit dhe deklaron kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore njësoj sikur personi të mos ish i punësuar në punëdhënës tjetër. Pra kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore deklarohen mbi bazën e pagës reale por jo më pak se niveli i pagës minimale në shkallë vendi.
b)Kur shuma e pagave bruto mujore, që punonjësi merr nga të dy tatimpaguesit është sa, ose më e madhe, nga kufiri i pagës maksimale për kontributet shoqërore, atëherë për këtë punëmarrës, tatimpaguesi nga i cili ai merr pagën më të lartë llogarit dhe deklaron kontributet shoqërore mbi bazën e pagës reale deri në kufirin e pagës maksimale për kontributet shoqërore. Tatimpaguesi tjetër, nga i cili punëmarrësi merr pagën më të ulët deklaron dhe paguan kontributet shoqërore mbi bazën e pagës mujore, që rezulton si 2 diferencë midis pagës maksimale për kontributet shoqërore me pagën, që punonjësi merr nga tatimpaguesi prej të cilit ai merr pagën më të lartë. Në këtë rast tatimpaguesi i dytë, nga i cili punëmarrësi merr pagën më të ulët, te emri i personit, në rubrikën “Shënime” të të dhënave të listëpagesës, shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë ……… te tatimpaguesi “x” me NIPT……….”, si dhe ruan vërtetimin e lëshuar nga tatimpaguesi që deklaron dhe paguan pagën më të lartë. Kontributet e sigurimit shëndetësor llogariten dhe deklarohen nga të dy tatimpaguesit mbi bazën e pagës bruto mujore të punonjësit por jo më pak nga paga minimale në shkallë vendi dhe pa kufi të sipërm të saj.
c)Kur paga bruto mujore e punonjësit te njëri nga tatimpaguesit është sa, ose më e madhe, se kufiri i pagës maksimale për kontributet shoqërore, atëherë nga ky tatimpagues ato llogariten dhe deklarohen në nivelin e pagës maksimale për kontributet shoqërore. Tatimpaguesi tjetër nga i cili punonjësi merr pagën më të ulët, nuk llogarit dhe nuk deklaron kontribute shoqërore, por te emri i personit, në rubrikat e vlerave të kontributit shoqëror të të dhënave të listëpagesës vendos zero, si dhe në rubrikën “Shënime” ky subjekt shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë maksimale te tatimpaguesi “x” me NIPT……….”, si dhe ruan vërtetimin e lëshuar nga tatimpaguesi që deklaron dhe paguan kontributet shoqërore në nivelin e pagës maksimale. Kontributet e sigurimit shëndetësor llogariten dhe deklarohen nga të dy tatimpaguesit mbi bazën e pagës bruto mujore të punonjësit por jo më pak nga paga minimale në shkallë vendi dhe pa kufi të sipërm të saj.
Ndërkohë, në rast se kontributi shoqëror në total i paguar për të njëjtin person nga të dy tatimpaguesit është më i madh se kontributi i përllogaritur mbi pagën maksimale për kontributet shoqërore të paguara më tepër për punonjësin e punësuar në të dy tatimpaguesit drejtoria rajonale tatimore rimburson tatimpaguesin nga i cili punonjësi ka marrë pagën më të lart.
DPT ka publikuar gjithashtu edhe dy shembuj konkretë të përllogaritjes së kontributeve për këta persona që janë të punësuar në dy subjekte në të njëjtën kohë: