Policia është detyruar të qëllojë me armë mëngjesin e sotëm në qytezën e Bulqizës.
Një makinë me shpejtësi të madhe ka thyer postbllokun e policisë dhe në këtë mënyrë jo vetëm ka shkelur rregulloren por ka rrezikuar edhe jetën e banorëve të zonës.
Arsyeja sepse policia i bëri postbllok kësaj makine përveç shpejtësisë së madhe ishte edhe fakti se kishte marrë informacion për një makinë të vjedhur në Tiranë. Por hajdutët kanë përplasur makinat e policisë, duke rrezikuar edhe jetën e një punonjësi.
Më pas është qëlluar me armë.
Informacion paraprak i Policisë së Dibrës:
Me datë 23.06.2018, rreth orës 07.42, policia e Dibrës, ka marrë informacion se në Tiranë një automjet është vjedhur dhe po lëviz në drejtim të Bulqizës.
Menjëherë është organizuar puna ku shërbime të policisë kanë ngritur një pikë kontrolli në Qafën e Buallit me qëllim ndaljen e këtij automjeti.
Në momentin që është afruar makina tip Benz me targa AA 186 EE, nga shërbimet e policisë i është bërë shenjë ndalimi, por automjeti është larguar me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë.
Ndodhur në këto kushte Policia ka qëlluar në ajër me qëllim që automjeti të ndalej.
Shërbimet e policisë kanë vijuar ndjekjen e automjetit ku në hyrje të qytetit të Bulqizës, dy persona ende të paidentifikuar kanë braktisur automjetin duke u larguar me shpejtësi në këmbë.
Policia e Bulqizës vijon krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e personave si dhe vijojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.