Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, refuzon sërish të paraqitet në komisionin e medias për të dhënë sqarime sa i takon projektligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e pjesës historike të Tiranës kompanisë ‘Fusha sh.p.k’ për ndërtimin e disa objekteve shumëkatësh.
Ministria ishte thirrur në një seancë dëgjimore për të dhënë sqarime rreth këtij projektligji ditën e hënë por përmes një shkrese ka njoftuar se nuk mund të jetë e pranishme në këtë mbledhje.
Kjo është e disata herë që ministrja refuzon Parlamentin ku është kërkuar të japë sqarime për projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ministrja Kumbaro është nismëtare e këtij projektligji, por që ende nuk ka dhënë asnjë llogari për të.
Herën e fundit, Kumbaro u shfaq para komisionit së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj por pas largimit të këtij të fundit nga mbledhja u largua edhe ministrja.