Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, RCC, ka prezantuar projektin më të ri 3-vjeçar për të promovuar dhe zhvilluar turizmin në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt do t`i vijë në ndihmë të 6 vendeve të rajonit për të diversifikuar produktet e turizmit të tyre aventurier, të ndërtojnë dhe promovojnë oferta të përbashkëta të cilat të mund të jenë të konkurrueshme në tregjet ndërkombëtare, kështu që të mund të krijojnë të ardhura dhe vende pune.
“Ne që jetojmë në këtë rajon e dimë shumë mirë pasurinë që ka natyra dhe potencialet e trashëgimisë kulturore janë të pashfrytëzuara.Gjatë tre viteve të ardhshme, ky projekt i RCC-së do të japë 30 grante të vogla me vlerë 50 mijë euro secili në mënyrë që të përmirësojë infrastrukturën rreth rrugëtimeve aventuriere në rajon. Thirrjet e para do të publikohen që në muajin Korrik të këtij viti”, u shprehGoran Svilanovic, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Projekti në total prek vlerën e 5 milionë eurove dhe financohet nga Bashkimi Europian. Projekti përfshin edhe identifikimin e shtigjeve më me vlerë të turizmit të aventurës në 6 vendet e rajonit si dhe zhvillimin e tyre nëpërmjet skemës së granteve duke siguruar kështu një promovim global të tyre. Qëllimi është që këto shtigje dhe zona turistike të prezantohen si një ofertë e përbashkët për botën.