Kredia për ekonominë në përqindje të PBB-ka shënuar rënien më të madhe vjetore më 2017, të paktën në periudhën post krize. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia me ekonominë arriti në 38.4 % të PBB-së më 2017 nga 40.5% që ishte me 2016 me një rënie 2.1 pikë përqindje. Kjo ishte rënia më e fortë vjetore që pas vitit 2008. Totali i kredisë evidenton një rritje prej 0.9 miliardë lekësh ose me rreth 0.15% gjatë vitit 2017, teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto vitin e kaluar është rritur me 3.84 për qind, ritme këto shumë më të larta sa rritja e kredisë. Këto zhvillime kanë çuar në rënie të fortë të kredisë në raport me PBB-në më 2017. Portofoli kredisë u paraqit me rritje në tremujorët e parë dhe të tretë te 2017, ku rritja më e madhe është raportuar në tremujorin e tretë me 10.4 miliardë lekë. Ndërsa në dy tremujorët e tjerë është raportuar rënie e portofolit të kredisë, ku rënia më e madhe ka rezultuar në tremujorin e fundit të vitit me 6.8 mld lekë. Në shtatë muajt e vitit 2017, ecuria mujore e kredisë ka njohur rënie, ku rënia më e madhe është raportuar në muajt dhjetor, prill dhe maj, me përkatësisht 5.72 miliardë lekë (-0.94%), 2.5 miliardë lekë (-0.42%) dhe 2.37 miliardë lekë (-0.40%).
Ndërsa për pjesën tjetër të muajve është raportuar rritje e portofolit të kredisë, ku rritja më e madhe është raportuar në muajt shtator, gusht dhe mars, me përkatësisht 5.54 miliardë lekë (0.92%), 5.03 miliardë lekë (0.84%) dhe 3.44 miliardë lekë (0.58%). E mesatarizuar mbi baza mujore, rritja e kredisë për vitin 2017 ka shënuar nivelin 0.01%. Analiza sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë evidenton se kredia “overdraft” për bizneset zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë (23.3%), pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë individëve (20.1%), kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë biznesit (18.5%) dhe nga kredia për “hua të tjera” për biznese (15.5%). Rritjen më të lartë gjatë vitit 2017, e shfaq kredia për “blerje pajisjesh” dhënë bizneseve (21.1%), ndjekur nga kredia për “konsum të mallrave jo të qëndrueshme” dhënë individëve (14.8%). Ndërkohë, rënien më të lartë e ka shfaqur kredia “overdraft” dhënë individëve (15.9%) dhe kredia “hua të tjera” (4.4%) dhënë bizneseve. Portofoli i kredive sipas monedhës, për vitin 2017, evidenton se kredia në valutë vijon të ketë peshën më të madhe në totalin e kredisë me 56.4% edhe pse gjatë vitit konfirmohet tendenca e zhvendosjes së portofolit nga kredia në valutë në kredinë në monedhën vendase. Në fund të vitit 2017, pesha e kredisë në monedhën vendase ndaj totalit të portofolit të kredisë ka njohur një rritje me 0.6 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.