Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj tha se zjarret janë të paparashikueshëm prandaj të gjitha institucionet duhet të jenë në gatishmëri. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Goxhaj tha se përgatitja për përballimin e situatave të zjarrit ka nisur që në muajin maj.
Shkëlqim Goxhaj: Nuk mund të themi se kjo verë ka kaluar dhe ne kemi kaluar situatën e vështirë, sepse pa pritur një zjarr me përmesa të mëdha mund të shkaktojë dëme që nuk i shkaktojnë as 500 zjarre të përmasave më të vogla. Zjarri është i paparashikueshëm dhe nuk e dime si do të ballafaqohemi. Kryesorja është që ne të jemi të përgatitur, jo vetëm punonjësit e shërbimit zjarrfikës, por edhe institucionet e tjera përkatëse që mbulojnë këto situata emergjente. Ne çdo fillim sezoni fillojmë përgatitjet që në muajin maj. Këtë vit përgatitjet kanë filluar me takimet me drejtuesit e njësive administrative nën drejtimin e Prefektes së qarkut Tiranë.
Kreu i Shërbimit Zjarrfikës i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që në mënyrë kategorike të mos përdorin zjarr për djegie mbeturinash.
Shkëlqim Goxhaj: Në besojmë fort në parandalimin e këtyre ngjarjeve. Nëse qytetarët janë më të vëmendshëm këto ngjarje mund të parandalohen, sepse dihet që temperaturat në vendin tonë shumë rrallë mund të ndodhë që zjarri të vijë nga temperaturat, zjarr vjen nga pakujdesia dhe dora e njeriut. Prandaj i bëjmë thirrje qytetarëve që në periudhën korrik, gusht, shtator mos përdorin zjarrin për të eleminuar mbeturina apo për të hapur toka të reja.