Rriten sigurimet, ulen dëmet – Tregu zgjerohet në 6-mujorin e vitit, kryesojnë motoriket

Premte, 27 July 2018 08:28

Tregu i sigurimeve ka njohur një rritje të ndjeshme gjatë gjysmës së parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, tregojnë të dhënat më të fundit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2018 kapën vlerën e rreth 7,7 miliardë lekë, ose 3.93% më shumë se në periudhën janar-qershor 2017.

Gjatë periudhës janar-qershor 2018, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 570,783 me një rritje prej 8.33% krahasuar me periudhën janar-qershor 2017.

Ndërkohë, sigurimet e Jo-Jetës vazhdojnë të mbeten produkti më i preferuar, me 92.50% të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Sigurimet e Jetës zënë 7.43% të tregut dhe veprimtarinë e risigurimit 0.07%.

Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.82% të tregut, ndërsa primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.18% të totalit të tregut.

Nga ana tjetër, gjatë periudhës janar-qershor 2018, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,2 miliardë lekë, ose 15.47% më pak se në periudhën Janar-Qershor 2017.

Vetëm nga sigurimi i motorik i detyrueshëm, ndaj palëve të treta, janë paguar dëme në vlerën e 978 milionë lekëve, në rritje me 15.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur kjo shumë fiksohej në 847 milionë lekë.

Kjo vjen edhe si rrjedhojë e rritjes në treg të këtij produkti, si në terma primesh të shkruara bruto ashtu edhe në terma kontratash, me 6.76% më shumë, në krahasim me 2017-ën.

Login to post comments