Deutsche Welle: Kërkohen autorët e sulmit me armë të banesës së gazetares Klodiana Lala

Premte, 31 August 2018 08:45

Pas sulmit me armë të banesës së gazetares Klodiana Lala, gazetare e News24, televizion partner i Deutsche Welle-s reagon edhe OSBE-ja. Ky sulm i shërben klimës së frikës dhe pasigurisë së shtypit në rajon, thekson OSBE.

Policia në Shqipëri po kërkon që nga e enjtja në mëngjes ( 30.08) autorët e sulmit me armë në banesën e prindërve të Klodiana Lalës, gazetare e kronikës në Televizionin News 24 për reformën në drejtësi, ҫështje të gjyqësorit dhe ato të lidhura me veprimtari kriminale. Në njoftimin për shtyp të policisë, theksohet se "sulmi në banesën njëkatëshe në periferi të Tiranës është bërë me breshëri automatike”. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të gjuajtjes me rreth 10 breshëri plumbash, xhama të  thyera dhe shenjat e sulmit në fasadën e banesës. Nga sulmi nuk pati viktima apo të lënduar.

"Sulmi  për shkak të punës sime si gazetare"

Në një komunikim me telefon gazetarja Klodiana Lala tha për Deutsche Wellen: "Jemi të gjithë shumë të tronditur. Kur sulmi u bë, në banesë ndodheshin prindërit e mi, vëllai dhe dy vajzat e mia të vogla. Unë kisha ikur në shtëpinë time. Nuk kemi asnjëri prej nesh konflikte personale me askënd. Kam dyshime se sulmi me armë është bërë për shkak të punës sime si gazetare. Por kushdo që e ka bërë.. nuk mund të më trembë, kam punuar me ndershmëri e profesionalizëm dhe do vazhdoj kështu, pavarësisht gjithçkaje" .

OSZE Logo (picture-alliance/Sputnik/S. Averin)

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, dënoi me forcë të shtënat me armë automatike kundër banesës së familjes të gazetares Klodiana Lala. "Ky sulm është një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe i papranueshëm kundër gazetares, që i shërben klimës së frikës dhe të pasigurisë së shtypit në rajon”, u shpreh ai në një deklaratë për ngjarjen.

Sinjal për rrezikun që u kanoset gazetarëve në Shqipëri.

Shoqatat e ndryshme të gazetarëve të Shqipërisë janë bërë bashkë për t'i kërkuar institucioneve shtetërore dhe policisë zbardhjen sa më parë të ngjarjes së rëndë, zbulimin e autorëve të saj dhe përballjen e tyre me drejtësinë. Në një deklaratë të përbashkët këto shoqata dënojnë sulmin dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të Shqipërisë të veprojnë sa më parë për të identifikuar autorët. "U bëjmë thirrje autoriteteve të dënojnë sulmin dhe të mbrojnë reportetër" thekson deklarata.

Edi Rama (DW/A. Shuka)

Të zbardhet menjëherë ngjarja

Autoritetet më të larta të vendit kërkojnë zbardhjen sa më parë të ngjarjes. Kryeministri Rama e cilësoi ngjarjen „ barbari të patolerueshme mbi shtëpinë e gazetares. Strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht, pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve” theksoi ai. Presidenti Meta në deklaratën e tij kërkon nga organet e sundimit të ligjit „të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese këtë ngjarje të rëndë dhe të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj”.

Albanien Tirana Ilir Meta (Reuters/F. Goga)

Delegacioni i BE dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dënojnë me forcë sulmin me armë ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj dhe nxisim autoritetet shqiptare "të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë”. Në deklaratën e Ambasadës së SHBA ngjarja e rëndë cilësohet një akt frikacak që citoj" tregon se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”. Opozita ka bërë përgjegjëse për ngjarjen e rëndë qeverinë dhe kryeministrin Rama pasi sipas saj gazetarja Klodiana Lala po zbulonte „lidhjet e krimit me kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij". Policia ende nuk  ka identifikuar autorët.

Login to post comments