Papa Françesku pritet të takohet të enjten me udhëheqësit e kishës katolike amerikane për të diskutuar rreth skandalit të abuzimit seksual në Shtetet e Bashkuara dhe mbulimin e akuzave të bëra ndër vite kundër qindra priftërinjve.
Takimi me Papa Françeskun vjen ndërsa ish-ambasadori i Vatikanit, Carlo Maria Vigano ka bërë thirrje që Papa të japë dorëheqjen, pas akuzave se ai ishte në dijeni vite më parë të informacioneve të besueshme se kryepeshkopi Theodore McCarrick i Uashingtonit kishte abuzuar me një adoleshent të altarit në vitet 1970 dhe priftërinj të rinj, por nuk e ballafaqoi McCarrick-un me akuzat. Në muajin korrik Papa Françesku e largoi kryepeshkopin McCarrick nga detyra e kardinalit.
Kisha katolike amerikane është tronditur nga akuzat e bëra ndër viti se priftërinjtë kanë abuzuar me fëmijë të vegjël brenda famullive të tyre. Edhe pse ishin në dijeni të këtyre akteve udhëheqësit e lartë të kishës i kanë mbuluar shpesh ato, duke i mbrojtur priftërinjtë nga përballja me akuza penale.
Kohët e fundit, një juri e madhe në shtetin lindor të Pensilvanisë akuzoi më shumë se 300 priftërinj të famullisë së këtij shteti, për abuzim seksual me të paktën 1 mijë të rinj, përgjatë një periudhe 70 vjeçare.