Duke filluar nga 1 janari i vitit 2019 nuk do të lejohet importimi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim.
Ky projektvendimi, i përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është prezantuar nga ministri Klosi në një takim me grupet e interesit pikërisht në Ditën pa Makina.
Ministri Klosi sqaroi se projektvendimi nuk prek makinat e përdorura mbi 10 vjet prodhim që janë aktualisht në qarkullim, por kufizon futjen e makinave të tilla pas 1 janarit 2019.
Ndërsa për makinat e patarguara që janë aktualisht në Shqipëri do të lihet një afat 5 mujor që të regjistrohen.
Duke iu referuar pasojave negative të përdorimit të makinave mbi 10 vjet prodhim që e shtynë administratën e mjedisit në përgatitjen e këtij projektvendimi, ministri Klosi përmendi dëmet në shëndetin e njerëzve, në mjedis dhe ekonominë e çdo qytetari të shtresës së mesme.
‘Makinat e vjetra, të përdorura, më të vjetra se 10 vjet nuk do të lejohen të futen në Shqipëri që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe po ashtu në dakordësi më komuntietin kemi përcaktuar një periudhë 5 mujore për të cilën do të lejohet që makinat që janë futur sot në Shqipëri të targohen.
Dhe nuk është një numër i vogël, por janë 60 mijë makina që kanë hyrë në Shqipëri dhe në bazë të informacionit që vjen nga drejtoria e transporteve, kanë hyrë në Shqipëri, janë zhdoganuar por nuk janë targuar dhe të lihet një periudhë 5 mujore për t’u bërë ky targim dhe 5 muaj nga hyrja në fuqi e këtij projektvendimi, as targimi nuk do të lejohet më, pra do të kemi një kufizim të plotë të makinave të përdorura më shumë se 10 vjet’.