Arrestohen 2 policë të Rinasit, pjesë e grupit të strukturuar kriminal

Saturday, 29 September 2018 10:07

Dy punonjës policie, me shërbim në komisariatin e Rinasit janë arrestuar pasi dyshoheshin se ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ata akuzohen se ndihmonin persona të ndryshëm për kalimin e kufirit në kundërshtim me procedurat ligjore

Ministria e Brendshme njoftoi sot arrestimin e Almir Doda, 42 vjeç dhe Edmond Llaçini, 34 vjeç, nga Tirana. 

"Arrestimi u krye pas një hetimi disamujor me metoda speciale, pasi dy efektivët e policisë dyshoheshin se ishin përfshirë në veprimtari antiligjore, si pjesë e  një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar persona të ndryshëm për kalimin e kufirit, në kundërshtim me procedurat ligjore"

Akuzat e ngritura ndaj tyre janë "Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Për të dy efektivët e policisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Arrestimi u krye nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në zbatim të vendimit të Gjykatës.

Hetimet po vijojnë.

Login to post comments